Autoritetet në veri të Gjermanisë u kanë bërë thirrje mijëra qytetarëve që të marrin një dozë tjetër të vaksinës antikovid pasi një hetim policor tregoi se një infermiere e Kryqit të Kuq mund t’u ketë dhënë ujë me kripë në vend të vaksinës së vërtetë.

Infermierja, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, dyshohet se u ka dhënë ujë me kripë në vend të vaksinës njerëzve në qendrën e vaksinimit në Friesland, në afërsi të detit të Veriut në fillim të kësaj pranvere. Autoritetet deklaruan se deri në 8600 persona mund të jenë prekur.

Edhe pse uji me kripë është i padëmshëm, shumica e njerëzve që janë vaksinuar kundër Covid-19 në Gjermani në muajt mars dhe prill, kur dyshohet se ndodhi ngjarja e pazakontë, janë të moshuar dhe në rrezik të lartë për t’u infektuar.

Hetuesi Peter Beer, duke folur në një konferencë për shtyp, tha se duke u bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, ekziston një dyshim i arsyeshëm për rrezik.

Nuk dihet se cili ka qenë motivi i infermieres së dyshuar, por ajo kishte shprehur qëndrime skeptike rreth vaksinave në rrjetet sociale.