Në një lidhje me “Skype” në rubrikën “Opinion”, në News24, akademiku Artan Fuga komentoi deklaratat e ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, se ish-kryeministri Sali Berisha nuk duhet të jetë në parlament në shtator.

Teksa u shpreh se shpallja e Beishës “non grata” nga SHBA ishte një qëndrim politik, akademiku Fuga theksoi se edhe deklaratat e ambasadores Kim ishin qëndrimi politik i shprehur tek institucioni politik shqiptar.

“Unë shikoj në planin global çfarë ka. Në këtë vitin e fundit ngjarjet po tregojnë se ka një riformatim mes tre niveleve, brenda të cilëve veprojnë apo janë legjitime elitat politike. E para, është një lloj legjitimiteti në planin global, mbikombëtar. Ne shikojmë që 3-4 drejtues të Kosovës janë në hark. Kemi parasysh që ne në Kushtetutë apo reformat që bëhen në drejtësi, kemi ONM, që është përtej një lloj kontrolli të ngushtë shqiptaro-shqiptar.

Në momentin kur Shqipëria ka hyrë në NATO, në momentin që ajo hyn në rrugën e integrimit, kjo shoqërohet me lloj raport tjetër midis asaj që është përtej shqiptare, është globale. Edhe në rastin e z. Berisha kam konsideruar në fillim si një qëndrim politik. Në këtë hap të dytë, sigurisht që znj. ambasadore ka bërë atë kërkesë, pra qëndrimin politik e ka shprehur tek institucioni politik shqiptar. E dyta, është aktiviteti politik në Shqipëri. E treta, është opinioni publik shqiptar. Ne jetojmë në një botë sot, ku të trija këto janë bashkë”, tha Fuga.

A duhet të jetë Sali Berisha pjesë e grupit parlamentar, a duhet të ejtë në Parlament?
Unë mund të them çfarë do bëja unë, dhe jo çfarë do bëjë kushdo qoftë. Unë sapo thashë dhe përmbledh dhe përgjigjen parimore, unë kam një pozicion, që e kam shprehur edhe në media, edhe si një kërkesë ndaj lidershipit të PD dhe nuk kam gjetur asnjë mënyrë mirëkuptimi, por unë nuk jam pjesë e asaj partie dhe s’kam të drejtë të kërkoj mirëkuptim, që do të thotë demokratizimi i partisë. Që do të thotë se është partia që duhet të diskutojë, janë organet drejtuese që duhet të diskutojnë.

Asgjë nuk i këshilloj z. Basha dhe askujt, sepse unë nuk jam dakord me heshtjen e PD. Nuk mund të thotë PD apo lidershipi i saj se pret shtatorin, por duhet të mbajë një pozicion politik. Pasi të mbajë pozicion politik, mund të them se këta këtë apo atë pasojë. Ajo që thashë është se unë nuk do të doja një klasë politike, një Shqipëri, e cila të ishte në konflikt me vlerat, me partnerët, me institucionet, shtetet, që ne në këto 30 vite orientojmë vlerat tona.

Unë pres nga PD se çfarë qëndrimi do të mbajë. Z. Berisha e ka shprehur pozicionin e tij. Një gjë duhet kuptuar nga të gjithë, ne sot jemi në një epokë dhe kemi kërkuar këto 30 vjet që të jemi një shtet kombëtar, me sovranitet kombëtar, brenda një legjitimiteti mbikombëtar. Kur kuptohet kjo në këtë mënyrë, gjërat bëhen më të thjeshta për të marrë vendimet përkatëse.