“Do e ndajmë me Kosovën, aq sa kemi” Ky ka qenë reagimi më i fundit i kryeministrit Edi Rama lidhur me krizën energjitike që ka hyrë Kosova ditët e fundit. I pari i qeverisë premton se do të shihet çdo mundësi me ministrinë e Energjitikës për të dhënë ndihmë për Kosovën. Sipas Ramës, të paktën dy ditët e festave të ndërrimit të viteve qytetarët e Kosovës nuk do të kenë probleme me energjinë.

“Duke e ndjekur me shqetësim krizën e rëndë energjitike që ka prekur Kosovën kërkova sot nga ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës, që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës popullore të ndarjes së viteve!” shkruan Rama.

Edhe pse disa kohë më para Rama shpalli krizën energjitike edhe në vendin tonë, sipas tij kjo nuk do të ndalojë ndihmën për Kosovën. Kreu i qeverisë theksoi se sado pak energji të ketë Shqipëria do ta ndajë edhe me Kosovën.

“Shqipëria s’e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjitike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s’mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi!” shkruan Rama.