Pak ditë pasi kryeministri Edi Rama mblodhi kryebashkiakët e vendit të cilët i kritikoi për keqmenaxhimin në sektorin e ujësjellësit, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka zhvilluar një takim me kryetarët e bashkive në qarkun e Fierit.

Balluku u ndal në investimet dhe tek keqmenaxhimi i burimeve njerëzore. Ministrja zbuloi shifrat e punonjësve, që ishin shumë herë më të larta, sesa është e nevojshme për 1000 abonentë. Mallakstra ishte kampione, sipas Ballukut, ku për 1000 abonentë, ka 16 punonjës.

‘Efiçenca e stafit për ne është komponent i rëndësishëm i keqmenaxhimit të sektorit kudo në Shqipëri e veçanërisht në Fier. Sipas të gjitha llogaritjeve 1000 abonentëve i përkasin 4.6 punonjës. Ky është indikatori, ndërkohë Fieri dhe Lushnja dy bashki të mëdha e kapërcejnë këtë me pak. Fieri me 5.5 punonjës për 1000 abonentë dhe Lushnja me 5.4 që është edhe e tolerueshme. Divjaka ka 12.2 punonjës për 1000 abonente. Patosi ka 12. 5. Roskoveci ka 9.1 dhe Mallakastra kampione e cila ka marrë më shumë investime 16. 1. Keni 4.ca herë më shumë nga ç’duhet të keni në Ujësjellës. 16 punonjës për 1000 kontrata abonentësh nga 4.6 që mund të keni! Shifër shumë e lartë.’- tha ministrja.

Kreu i qeverisë Edi Rama, i cilësoi si piramida që gllabërojnë para ndërmarrjet e ujësjellësve në vend, duke i kujtuar kryebashkiakëve se deri më tani janë investuar 1.2 miliard euro, një shifër kjo shumë e lartë, dhe asgjë nuk merret mbrapsht. Ai tha se drejtuesit e ujësjellësit në të gjithë vendin nuk do të zgjidhen më në të njëjtën mënyrë siç janë zgjedhur deri më tani, pasi Qeveria nuk do ta lejojë më këtë.