Grupi mbështetës i ish-kryeministrit Sali Berisha ka shkuar në selinë e PD pasi sot është afati i fundit që i kanë lanë kryedemokratit Lulzim Basha të lirojë zyrën.

Duke qenë se në katin e parë të selisë së PD-së, thuhet se po kryhen punime, të gjitha dyert janë të mbyllura dhe anëtarët e Komisionit të Rithemelimit e kanë pasur të pamundur që të futen në ambientet e brendshme të partisë. Para PD janë Flamur Noka, Edmond Spaho, Luan Baci, Tritan Shehu, të cilët folën para medieve.

Sot ka qenë afati i fundit që Komisioni i Rithemelimit i dalë nga Kuvendi i 11 Dhjetorit i Berishës, i ka lënë kryedemokratit Basha që të dalë nga zyra, sipas tyre me qëllim që të respektojë vullnetin e anëtarësisë së demokratëve që votuan në referendumin e 18 Dhjetorit. Basha e ka injoruar këtë ultimatum, pasi sot që prej mëngjesit ndodhet në zyrën e tij dhe nuk ka bërë asnjë reagim.

Hapi i radhës i Berishës është protesta kombëtare e thirrur më 8 janar e cila do të mbahet në oborrin e selisë së PD-së. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë më tej.