Janë 25 pika ku Komisioni Hetimor do të mbështesë argumentet e tyre sot për t’i kërkuar Kuvendit të votojë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Raporti i Komisionit do të nisë me një përmbledhje ku ceket roli i presidentit Meta gjatë fushatës zgjedhore, që sipas socialistëve ka qenë në funksion të opozitës duke ndërmarrë sulme kundër qeverisë.

Kjo thekson komisioni, ndërhyn dhe shtrembëron procesin e formimit të pavarur të opinioneve të publikut si dhe zhvlerëson rëndë parimin e demokracisë parlamentare. Një pikë tjetër janë thirrjet e presidentit Ilir Meta para zgjedhjeve për të mbrojtur votën e lirë me anë të mjeteve të punës, e cila cilësohet si vepër penale “thirrje publike për veprime të dhunshme”.

Në pikën 13 Komisioni veçon: Neni 266 i Kodit Penal (thirrja për urrejtje nacionale) përcakton se “vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë, duke i fyer ose shpifur për to, duke kërkuar përdorimin e dhunës ose të veprimeve arbitrare kundër tyre, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet”.

Gjetjet e Komisionit Hetimor

Sipas Komisionit, në kundërshti me kushtetutën në këto zgjedhje “Presidenti i Republikës bëri fushatë kundër partisë në pushtet, në kapacitetin e tij zyrtar”. Socialistët kanë arritur në përfundimin se Meta ka bërë presion që prokuroria të japë konkluzionet e hetimit para datës së zgjedhjeve dhe është përpjekur të orientojë hetimin vetëm në një drejtim që i leverdiste atij politikisht.

Presidentit Ilir Meta edhe ngjarja e ndodhur në Elbasan në javën e fundit të fushatës zgjedhore ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, aktivist i PS pas përplasjes me strukturën për Mbrojtjen e Votës të ngritur nga PD për çështje të shitblerje të votës. Kjo sipas Komisionit erdhi pas thirrjeve të presidentit për dhunë, ndërsa kërkohet hetimi i tij nëse ka qenë apo jo i përfshirë në strukturën e opozitës për krijimin e grupit që mbron votën.

“Më datë 21.04.2021 në Elbasan ndodhi një përplasje me dhunë midis dy grupeve simpatizantësh, me pasoja të rënda. Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it e përshkruan kështu ngjarjen: “Një person u vra dhe tre u plagosën. PD-ja kish formuar një grup, të cilin e quante “Struktura për Mbrojtjen e Votës” dhe thonte se përbëhej nga ish anëtarë të policisë së shtetit, të cilëve PD u kish kërkuar të “verifikonin” informacionet për blerje të votës”.

Sipas raportimeve, autori i vrasjes në ngjarjen e Elbasanit ishte i armatosur me armë, pa leje për t’u mbajtur në publik. Ai dhe grupi që e shoqëronte shkaktuan përplasjen në tentativë për të ushtruar autoritet të kundraligjshëm policor. Modus operandi i tyre përputhet plotësisht me thirrjen publike të Presidentit të Republikës për dhunë.

Nëse Presidenti i Republikës ka qenë i përfshirë në platforrmën e opozitës për ngritjen dhe funksionimin e grupit paramilitar të quajtur “Struktura për Mbrojtjen e Votës”, apo jo, kjo është një çështje që vetëm hetimi i organeve kompetente mund ta zbulojë. Por për komisionin hetimor rezultoi e provuar se Presidenti i Republikës ka qenë frymëzuesi publik i dhunës. Ky konkluzion përforcohet edhe nga fakti, se ai për asnjë moment nuk është distancuar dhe nuk ka dënuar jo vetëm vrasjen, por as modelin e kundraligjshëm që përfaqësonte “Struktura për Mbrojtjen e Votës”.

Meta akuzohet edhe për përplasjen në distancë me ambasadoren e SHBA Yuri Kim, që cilësohet si përpjekje për të krijuar krizë dhe incidente diplomatike me SHBA-në.