Kriza mes Ukrainës dhe Rusisë duket se ul në tryezën e bisedimeve dy prej krerëve më të fuqishëm të botës, Biden dhe Putin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka rënë dakord “në parim” për të mbajtur një samit me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar krizën në Ukrainë.

Bisedimet e propozuara nga Franca do të zhvillohen vetëm nëse Rusia nuk pushton fqinjin e saj, Ukrainën tha Shtëpia e Bardhë, raporton BBC.

“Ne jemi gjithmonë gati për diplomaci. Ne jemi gjithashtu të gatshëm të imponojmë pasoja të shpejta dhe të rënda nëse Rusia në vend të kësaj zgjedh luftën. Dhe aktualisht, Rusia duket se po vazhdon përgatitjet për një sulm të plotë në Ukrainë shumë shpejt”, tha Jen Psaki në një deklaratë.

Takimi mund të ofrojë një zgjidhje të mundshme diplomatike për një nga krizat më të këqija të sigurisë në Evropë në dekada.

Zyrtarët amerikanë thonë se inteligjenca sugjeron se Rusia është gati të nisë një operacion ushtarak, të cilin Moska e mohon.

Propozimi u njoftua nga presidenca franceze pas dy telefonatave mes presidentit Emmanuel Macron dhe zotit Putin, të cilat vazhduan për gati tre orë në total.

Shkëmbimi i dytë ndodhi në orët e para të së hënës me orën e Moskës dhe pasoi një bisedë 15-minutëshe që Macron pati me Biden.

Në deklaratën e presidencës franceze thuhet se samiti do të pasohet nga një mbledhje e mëpasshme e “aktorëve përkatës për të diskutuar sigurinë dhe stabilitetin strategjik në Evropë”. Macron “do të punojë me të gjitha palët e interesuara për të përgatitur përmbajtjen e këtyre diskutimeve.”