Vetëm tre ditë pas zjarrit të vënë qëllimisht, është shpronësuar godina e Sarajeve të Toptanëve në Tiranë.

Kjo godinë e shpallur monument kulture tashmë i ka kaluar bashkisë së Tiranës, ndërsa vendimi është botuar edhe në fletoren zyrtare.

Sipas vendimit, pronarët do të marrin një vlerë monetare prej 178   694   456   (njëqind   e   shtatëdhjetë  e tetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekë.

Po ashtu mësohet se është shpronësuar edhe Muzeu Etnografik i Tiranës, “Sarajet e Libohovitëve”. Për këtë godinë vlera totale  paraprake  e shpronësimit  është 505   843   802.6 (pesëqind   e   pesë milionë   e tetëqind e dyzet e tre mijë e tetëqind  e  dy  pikë gjashtë) lekë

Kujtojmë se godina shekullore e Sarajeve tre ditë më parë u sulmua me zjarr nga dy persona ende pa identifikuar. Pas verifikimit të kamerave të sigurisë  hetuesit kanë mundur të identifikojnë 2 autorët, por për shkak të hetimit nuk bëhet ende me dije identiteti i tyre.

Burime nga policia thonë se autorët janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.  Nga kamerat e sigurisë është parë se ata kanë hyrë nga pjesa e pasme e godinës dhe pasi I vunë flakën ambienteve të katit të parë u larguan me shpejtësi.

Në pamjet e sekuestruara, shfaqen dy persona që mund të jenë përfshirë në zjarrvënien e monumentit të kulturës. Nga hetimet ka rezultuar se autorët kanë përdorur një bidon me benzinë. Një prej tyre , që shfaqet në këtë video largohet me vrap pak sekonda pas zjarrvënies.

Si pasojë e flakëve është dëmtuar edhe pjesa e tavanit e ndërtuar kryesisht me bazë druri. Burime nga policia me dije se, flakët janë pikasur nga roja i një biznesi aty pranë që më pas ka njoftuar edhe forcat zjarrfikëse. Për shkak të ndërhyrjes së shpejtë zjarri është vënë nën kontroll duke shmangur djegien dhe shkatërrimin e totale të godinës.