Prej 15 gushtit talebanët kanë marrë pushtetin në Afganistan dhe pas qëndresës prej tre javësh nga Forcat e Rezistencës në luginën Panjshir, ditën e sotme ata arritën të vënë nën kontroll të plotë vendin pasi mposhtën “luanët” e luginës.

Por Fronti Anti-Taleban i Rezistencës Kombëtare (NRF), u zotua se do të vazhdojë luftimet në Luginën Panjshir, duke thënë se është i pranishëm në “pozicione strategjike” dhe se “lufta kundër talebanëve … do të vazhdojë”.

Vendndodhja e udhëheqësit të rezistencës Ahmed Massoud dhe Amrullah Saleh, ish nënkryetari i cili ishte bashkuar me rezistencën pas rënies së Kabulit, nuk dihej saktësisht.

Ndërkohë një foto po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale, ku një taleban është futur me mitraloz në krahë brenda një xhamie në Kabul. Situata është e tensionuar dhe për këtë arsye ata qëndrojnë në çdo moment të armatosur.