Nga Dorina Hoxha

Historitë njerëzore të pluhurosura nga harresa shkunden ndër faqet e letrës së vjetër në duart e mija, shekuj të stacionuar zgjojnë dëshirën për të lundruar pa kohë, brenda një bote të kushtuar jetës dhe veprave të plejadës së vërtetë të shkrimtarëve përtej kufijve. Një botë vullnetesh dhe pasionesh që lëvruan nën atmosferën e zymtë të një politike të egër, ku Shqipëria ishte fatkeqësia që lëngonte nga vuajtjet e popullit të saj. Mirëserdhët në Bibliotekën Françeskane, në thesarin e fshehur të Shkodrës! Një botë e tërë që shpaloset përpara një publiku të pavetëdijshëm për këtë burim të dijes, pas së cilit fshihet sakrifica e atdhetarëve përtej kufijve që kontribuuan me pasuri që sot është e vendosur në qendër të qytetit të Shkodrës. Si çdo rrëfim tjetër i përvuajtshëm historik, edhe biblioteka kaloi sprovat e veta historike, siç ishte edhe periudha e errët komuniste, e cila e shkatërroi edhe e shpërbëri bibliotekën duke i’a zhvatur librat.

Biblioteka Françeskane, thesari i fshehur i Shkodrës

U desh përpjekja e vazhdueshme e atyre që e duan dijen dhe kontribuuan për ta risjellë në versionin e saj të dikurshëm, ashtu siç pasqyrohet nga fotografitë e vjetra në të cilin At’ Gjergj Fishta shkroi veprat e tij, pasuria e së cilit është grumbulluar edhe sot; veprat e tij origjinale janë brenda kësaj biblioteke. E natyrisht po përmendim kontributin për rithemelimin e kësaj biblioteke albanologun At Jak Marlekaj, historianin At Paulin Margjokaj dhe eruditin e njohësin më të mirë të Fishtës At Daniel Gjeçaj.Sa ngjarjet dhe sa peripeci kaluan këta biblioteka që pastaj të vinin në Shqipëri duke zënë vendin e tyre. Në vitin 2008 duhet të përmendim edhe dhurimin e arkivit të muzikologut të shquar Ton Zadeja. Dhe në vitin 2017 një vit i veçantë sepse biblioteka studiuesit të censhëm Willy Kamsi i dhurohet bibliotekës françeskane. Këto biblioteka dhe arkiva që filluan të ruheshin në mërgim krijuan edhe bazën për bibliotekën e sotme. Sigurisht u pasuruan shumë me kontributin e Tonin Zadejës dhe të Willy Kamsit dhe personave të tjerë.

Gjatë këtyre viteve është pasuruar fondi edhe me blerjet të veprave të vjetra dhe botimeve aktuale në fushën e albanologjisë dhe të ballkanologjisë. Biblioteka e ndërtuar sipas projektit të At’Gjergj Fishtës, mori jetë edhe falë kontributit të tre shkrimtarëve përtej kufijve të cilët dhuruan gjithë veprat e mbledhura për rindërtimin e bibliotekës Françeskane, ku studiues albanologë të mund të kenë në duart e tyre sakrificën dhe përpjekjet e një plejade që ndonëse e shuar, akti i tyre i dhurimit jehon për brezat në vijnë pas, si një thesar i pashterur i dijes. A mund ta imagjinoni vlerën që mbart një pasuri e tillë prej librash e dhuruar?! A ka prej jush që e duan librin edhe kanë shpenzuar të blejnë një libër çdo javë, apo çdo muaj?! A ka prej jush që ndonëse ka pasur vështirësi ekonomike ka sakrifikuar nga të mirat materiale, vetëm që të blejë një libër? Ja ka mohuar vetes ato pak qindarka, ia ka mohuar ushqimin vetëm që të ushqente shpirtin me një libër?

Biblioteka Françeskane, thesari i fshehur i Shkodrës

Kush i njeh prej jush këto sakrifica që në impaktin e parë të ditëve tona duket qesharake gati alogjike, por është një e vërtetë që shoqëron dijedashësit që jetën e tyre ia kushtojnë të nxënit! Kur e ndërton një bibliotekë me sakrifica, duke i mohuar vetes shumë të mira të tjera materiale, shndërrohesh në një fanatik libri, që të dhemb çdo fletë e tij, të dhemb mungesa apo dhurimi i tyre. Keni dëgjuar për shprehjen e famshme që qarkullon, se “nëse jep një libër je një herë budalla, nëse e kthen je dy herë budalla”. Kjo shprehje që në pah nxjerr vlerën e pakufishme të dijes që duhet ruajtur dhe mbajtur sepse sa herë e shfleton je vetëm përfitues. Bibliotekat ndërtohen nga dashuria për dijen, mbi themelet e sakrificës. Dikush sakrifikon rrogën, dikush sakrifikon udhëtimet, dikush sakrifikon veshjet e ndoshta dikush tjetër sakrifikon vetë jetën.

I kushtova rëndësi kësaj pjese se siç do bibliotekëdashës që i njeh sakrificat, u mahnita nga tre dhuruesit studiues që jetën ia kishin dedikuar hulumtimeve dhe mbledhjes së materialeve të vjetra shkrimore me sakrifica ekonomike me shpresën që një ditë kur komunizmi do të merrte fund do të sillnin arsenalin e tyre të dijes të flinte brenda kufijve shqiptare. Por, jeta të rrëmben me vrullin e saj edhe në fund ajo që mbetet është e mira e përbashkët që përbëhet nga kontributi i së mirës së veçantë, e kur ndonjëra shkëputet, janë një grumbull të mirash përreth që nuk e lenë të shuhet. Ky quhet mision! Çdo njëri nga ne ka një mision të tijin që duhet ta kuptojë në kohë sepse vërtet nuk ka kohë, ajo që shkruhet në hyrje të bibliotekës është një thënie e vjetër në latinisht: “Hic mortui revivescunt et pandunt oracular muti” – ‘Sepse te vdekurit ringjallen dhe të pagojët flasin orakuj’, një metaforë e bukur e personifikimit që shpirti edhe mund të ndihet si i vdekur por për aq kohë sa merr në duar një libër vjen rigjenerimi i ideve.

Biblioteka Françeskane, thesari i fshehur i Shkodrës

Ky thesar i pazbuluar i Shkodrës mban libra origjinal shumë të vjetër deri të pesë shekujve më parë, apo pergamenë tejet të vjetër. Mban vepra origjinale të autorëve shqiptarë; pra gjithçka që duhet të bëni është të jeni në kërkim të dijes jo për t’u pasuruar materialisht por për t’u pasuruar shpirtërisht, sa më shumë të lexoni aq më tepër do ndiheni të lirë, edhe liria në fund të çdo dite nuk ka të paguar! Duhet ta keni parasysh që dija na sjell lirinë edhe liria fitohet duke gjetur një formë të të nxënit që të kuptoni se dashuria edhe liria janë si dy anët e medaljes nëpërmjet të cilës çdo njeri nga ne lexon atë pjesë që e thërret shpirti. Në raftet e kësaj biblioteke kaq madhështore përveç bukurisë së vet mund të lexohen vepra origjinale të autorëve të rilindjes, mandej të vëllezërve Frashëri, At Gjergj Fishtës, të Dom Ndre Mjedjes, të Erenest Koliqit, Martin Camajt, Lasgush Poradecit e të sa e sa personaliteteve që jetën e tyre ia kushtuan atdheut tonë.

Biblioteka Françeskane, thesari i fshehur i Shkodrës

E jo vetëm këto vepra të rëndësishme, por mund të shkojmë edhe në kohët më të vjetra në botimet historike për Gjergj Kastriot Skënderbeun që në vitin 1580, po në librin e Ptolomeut mbi pjesën që trajton vendin tonë që daton e vitit 1561. E ndërkohë mund të lexojmë edhe veprat origjinale të Budit, Bogdanit, Gramatikën e parë shqipe dhe botime të tjera mjaft të çmueshëm për vendin tonë. Prekja dhe frymëmarrja që të japin veprat origjinale të kthejnë në kohë, takohesh më ata personalitete, i flasin qenies tende duke e transformuar atë. Na bëjnë më të dashur për njëri tjetrin dhe për të kuptuar lirinë e kohës, që na është dhuruar në një afat të caktuar dhe detyra jonë është ta mbushin atë me dije derisa një ditë ajo do të përshkojë brezat në vijim.