Një aktor rus është dërrmuar për vdekje në një aksident në skenë në Teatrin Bolshoi me famë botërore, në kryeqytetin rus,  Moskë.

Ngjarja ndodhi të shtunën. Bolshoi, një nga teatrot më prestigjiozë të Rusisë, tha më një deklaratë se incidenti ndodhi gjatë një ndryshimi të skenave në operën Sadko, një vepër nga kompozitori rus Nikolai Rimsky-Korsakov.

“Opera u ndal menjëherë dhe auditorit iu kërkua të largohej pasi u vra Yevgeny Kulesh,” tha teatri në komentet e transmetuara nga agjencia e lajmeve Interfax.

Pamjet që u shfaqën tregonin aktorë të panikuar duke iu lutur stafit për të hequr materialin që u rrëzua fatalisht mbi aktorin Kulesh.

Hetuesit thonë se po hetojnë rrethanat që lidhen me vdekjen e interpretuesit 37-vjeçar.

Spektatorët e tronditur thanë në mediat sociale se fillimisht kishin besuar se aksidenti ishte një truk i inskenuar.

Sidoqoftë, realiteti i incidentit shpejt u bë i qartë kur aktorët reaguan me tmerr dhe disa në skenë bërtitën “telefononi ambulancën, ka gjak”.

Mediat lokale thanë se Kulesh ishte interpretues në teatër që nga viti 2002.

Nuk është incidenti i parë tragjik që godet teatrin me famë botërore.

Në korrik 2013, një violinist i njohur vdiq pasi ra në gropën e orkestrës. Viktor Sedov ishte veteran i orkestrës së operës me më shumë se katër dekada karrierë.

Në vitin 2011 një gjykatë në Moskë burgosi ​​solistin e Baletit Pavel Dmitrichenko për gjashtë vjet pasi u zbulua se kishte organizuar një sulm me acid ndaj drejtorit artistik të kompanisë, Sergei Filin, jashtë banesës së tij në Moskë, duke dëmtuar rëndë shikimin e tij.