Hetimet për vdekjen e mistershme të katër turistëve rusë në hotel ‘Gloria’ në Qerret të Kavajës kanë marrë një tjetër udhë, pasi prokuroria po heton për akuzën e ‘vrasjes në rrethana cilësuese’. Policia e Kavajës e ka referuar në prokurori vdekjen e bashkëshortëve Natalia dhe Sergei Burenkova të vajzës së tyre Ekaterina dhe të partnerit të saj Nikita, për akuzën e veprës penale të ‘vrasjes në rrethana cilësuese’’. Vendimin përfundimtar për shkaqet e vdekjes do ta japë rezultati i Mjekësisë Ligjore në Tiranë, që pritet të dalë në ditët në vijim.

Burimet bëjnë me dije se turistët hynë në jakuzin e hotelit në orën 20:20 të së premtes dhe në orën 21:20 u gjetën të vdekur. Ekspertiza e ISHP do të përcaktojë nëse katër turistët rusë u asfiksuan apo jo nga avujt e klorit, që ishte hedhur nga punonjësit për të pastruar ujin gjatë paradites të së premtes. Burime për ‘Dritare’ pranë grupit të hetimit bëjnë me dije se asfiksimi nga avujt e ujit mbetet pista kryesore e hetimit të shkakut të vdekjes së 4 turistëve rusë. 4 turistët rusë erdhën të dielën e kaluar dhe kishin pushuar në Ohër, ndërsa teksa po ktheheshin rezervuan jakuzi në hotel ‘Gloria’ në Qerret, ku qëndruan së bashku derisa recepsionistja e hotelit i gjeti të pajetë.