Një video e publikuar nga gazeta turke YeniSafak, me titullin shumë provokues “Armët turke frikësojnë Greqinë – Ata tani kanë fuqinë të godasin Athinën”, ka turbulluar opinionin grek duke vlerësuar se fuqia ushtarake turke është e tillë që tremb në çdo kohë fqinjin Greqi.

Ankaraja po përpiqet të demonstrojë fuqi ushtarake pas marrëveshjeve të Athinës me Parisin dhe Uashingtonin, marrëveshje që kanë mërzitur fqinjin turk.

Videoja, me një dozë intensive lufte, i referohet “epërsisë gjeopolitike të Turqisë në rajonin e saj”, ku YeniSafak pohon se programi turk i mbrojtjes hyri në axhendë këtë javë me armë dhe automjete që ndryshuan ekuilibrin në Egje.

Aeroplanë pa pilot dhe mjete detare, raketa me rreze të gjatë veprimi, anije luftarake me karakteristika superiore, nëndetëse që kalojnë nën ujë për 21 ditë pa ndërprerje: sa më sipër ofrojnë besim te miqtë dhe frikë te armiku”, shtohet në deklaratën e videos që shihni më poshtë.

Deklaratat provokuese janë bërë në CNN nga ministri i Jashtëm Mevlüt Çavusoglu.

“Ne nuk do të lejojmë që të drejtat tona të shkelen në Mesdheun Lindor,” tha ministri i Jashtëm turk pardje në 28 tetor.

“Ministri i Jashtëm grek qan si një fëmijë i vogël. Ai nuk mundet që nga njëra anë të bëjë thashetheme për Turqinë pesë herë në ditë dhe nga ana tjetër të ankohet për të. Kjo tregon një kompleks inferioriteti dhe frike”, shtoi ai.