Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë po zhvillojnë një operacion mëngjesin e kësaj të shtune me urdhër të Prokurorisë së Krujës.

Ky aksion vjen pas grabitjes së biznesmenit Nazmi Çangu dhe sipas burimeve është vënë në pranga një nga autorët.

FNSH mësohet se po ekzekuton urdhër arrestet për disa persona, prandaj dhe operacioni është ende në zhvillim.

Rikujtojmë se pak javë më parë, shtëpia e biznesmenit Nazmi Çangu në Nikël të Fushë-Krujës u ‘pushtua’ nga disa persona të armatosur dhe të maskuar.

Ata lidhën në njërën dhomë familjarët e biznesmenit dhe më pas e torturuan në dhomën tjetër Nazmi Çangun për disa orë.

Në fund grabitësit u larguan me 100 mijë euro, sipas dëshmisë së Çangut, por është aluaduar se ata kanë marrë të paktën 10-fishin e shumës që pretendon biznesmeni.

Autorët kanë qenë të mirëinformuar gjë të cilën e kanë treguar dhe bisedat që ka bërë me familjarët, të cilët nuk janë rrezikuar njëjtë si Çangu, i cili njihet për aktivitetin e tij për dhënie të parave me fajde.

Një nga autorët, sipas dëshmisë së vajzës, ishte i pamaskuar dhe nga e folura dukej si nga zona e Laçit. Policia pak ditë më parë zhvilloi një operacion për kapjen e tij por pa sukses.