Arrest në burg pa afat ka vendosur në seancë për vlerësim mase sigurie Gjykata e Korçës ndaj katër personave të ndaluar pak ditë më parē me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike, mes tyre edhe një avokat.

Gjykata nuk ka marë parasysh kërkesa të avokatëve mbrojtës për masa më të lehta sigurie ndaj katër të pandehurve. Ata u ndaluan pas një hetimi dy javor, duke u kapur me 114 kilogram lëndë narkotike ‘Kanabis, nga të cilat 66 kilogram ju gjetën në makinë avokatit nga Korça.

‘Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Korçë dhe Forcat e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, pas një pune intensive hetimore dyjavore, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Restart”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Ligor Romaçka, 29 vjeç, banues në Korçë.

Joni Mosku, 36 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”).

Idriz Manej, 66 vjeç, banues në Shkodër, (i dënuar më parë për veprën “Trafikimi i narkotikëve”).

Albion Çiko, 21 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq (i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”).

Falë një pune të mirëorganizuar nga shërbimet e policisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Goricë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, u bë kapja e shtetasit Joni Mosku, me mjetin tip “Opel Meriva”, brenda të cilit iu gjet e fshehur 66 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Gjithashtu gjatë kontrollit të një magazine në lagjen nr. 1, Korçë, të marrë në përdorim nga shtetasi Ligor Romaçka, në brendësi të një mjeti tip “Opel Meriva”, pa targa, pa dokumentacion, u gjet një sasi tjetër prej 48 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një presë që shërben për paketimin e lëndës narkotike, si dhe gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjet një armë sportive tip pistoletë.

Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale ishin edhe dy shtetasit Idriz Menaj, në rolin e poseduesit të lëndës narkotike dhe shtetasi Albion Çiko, i cili kishte kryer modifikimin e mjetit, me qëllim fshehjen e sasisë së lëndës narkotike.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 114 lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 1 armë sportive tip pistoletë, 4 automjete, 6 aparate celularë dhe 1 pajisje metalike (presë) e cila shërbente për paketimin e lëndës narkotike’ njoftoi për këtë operacion policia.