Një ditë pasi Belind Këlliçi njoftoi zyrtarisht dorëheqjen si kryetar i Forumit Rinor të PD-së, Kryesia e kësaj strukture ka vendosur të shpallë zgjedhjet, paralelisht me procesin që u nis më herët nga një grup pune i ngritur nga PD.

FRPD ka hapur procesin e anëtarësimeve të reja për periudhën 15 nëntor deri në 20 shkurt të 2022. Kryesia ka vendosur të përpilohet një listë fjale e anëtarësisë së FRPD me të drejtë vote, jo më parë se 30 ditë nga mbyllja e procesit të anëtarësimeve.

Kalendari zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri në nivel dege dhe qendror duhet të jetë hartuar jo më vonë se më 30 mars 2022.

Sekretari i Përgjithshëm i FRPD, Grigels Muçollari është autorizuar që të ngrejë grupin e punës që do të drejtojë procesi e anëtarësimeve të reja në forum, si dhe për të ngritur Komisionin Zgjedhor Qendror të FRPD.

Kujtojmë që kryedemokrati Lulzim Basha shpalli zgjedhjet e reja për kreun e FRPD, proces kundër të cilit doli kundër Belind Këlliçi.

Ky i fundit deklaroi se vendimi i Bashës është nul dhe i pabazuar në statutin e partisë. Kreu i FRPD iu bashkua foltores së mbajtur nga ish-kryeministri Sali Berisha në Tiranë.