Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë përgjigje për pikën më të nxehtë për momentin, pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Pak ditë më parë, inteligjenca amerikane paralajmëroi se Rusia mund të nisë një ofensivë ushtarake në Ukrainë brenda disa muajsh, ndërsa ka rrethuar me mijëra trupa ushtarake kufirin.

Kjo bëri që presidenti Biden të zhvillonte edhe një bisedë virtuale me Vladimir Putin.

Presidenti rus ka dhënë detaje për bisedimet me homologun amerikan, ndërsa thekson se nuk pranon anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

“Diskutuam për çështjet rajonale, konfliktin në juglindje të Ukrainës dhe çështjet e lidhura me të, që janë shumë të ndjeshme për ne. Folëm edhe për zgjerimin e NATO-s në lindje duke përdorur Ukrainën, mes të tjerave. Kjo është një pikë kyçe për sigurinë e Rusisë, atë afatmesme dhe strategjike. Flasim hapur për këtë gjë gjithmonë, duke paralajmëruar partnerët tanë se është e papranueshme për ne.

Folëm edhe një ditë më parë. Çdo shtet ka të drejtën të zgjedhë mënyrën më të përshtatshme për të siguruar veten. Por sigurisht që nuk duhet bërë duke shkelur të drejtat e të tjerëve. Ramë dakord që do të vijojmë diskutimin dhe brenda javës do t’i dërgojmë amerikanëve propozimet tona”, ka deklaruar Putin

Por a po planifikon Rusia të pushtojë Ukrainën?

“Ne gjithmonë ndjekim rrugën e paqes në politikën e jashtme. Por Rusia ka të drejtë të sigurojë veten dhe këtë e diskutova edhe me Biden. Nuk mund të mos jemi të shqetësuar për mundësinë që Ukraina do t’i bashkohet NATO-s, sepse kjo do të bënte që trupa dhe baza ushtarake kërcënuese do të ishin pranë nesh”, tha Putin.