Gabriel Escobar, i dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, ka bërë një deklaratë të fortë gjatë një interviste për gazetarin Sokol Balla, ku zbuloi se çfarë do të ndodhë me PD-në në rast se Berisha rikthet në krye të kësaj force politike.

Escobar tha se në rast të një ngjarje të tillë, Berisha nuk do të ketë mundësi të shkojë ndonjëherë në Uashington, dhe takimet me të do të bëhen vetëm në selinë e institucionit që ai drejton, duke hequr një paralelizëm me kreun e repulikës srbska Milorad Dodik.

Sipas Escobar, vendimi për shpalljen e Berishës non grata nuk është politik, dhe është dashur një kohë e gjatë, hetime nga dy administrata që të merrej një masë e tillë.

Pjesë nga intervista:

Sokol Balla: Ambasadorja juaj këtu e ka bërë të qartë pozicionin e Departamentit të Shtetit se çfarë do të ndodhë me Partinë Demokratike nëse gjërat shkojnë nga ana e Berishës. A keni një mesazh tjetër për ta plotësuar?

ZV/NS Escobar: Nuk takohemi me të. Është i shpallur. Pra, do të ketë pasoja nëse Partia Demokratike zgjedh dikë që është i shpallur për të qenë udhëheqësi i saj.

Sokol Balla: Si? Keni zgjedhur më parë, dua të them Departamenti i Shtetit ka zgjedhur më parë edhe organizata politike që kanë qenë në listë, në listë të zezë…

ZV/NS Escobar: …shumë rrallë …

Sokol Balla: …shumë rrallë, do të ishte ky rasti?

ZV/NS Escobar: Nuk e kuptoj pse do të ishte ky rasti. Dhe e di që njerëzit duan ta krahasojnë me rastin e Milorad Dodikl; me që ra fjala, ne takohemi me të vetëm sepse është në presidencën treshe, takohemi me presidencën, jo me të. Nuk takohemi me të në Sarajevën lindore, nuk takohemi me të në Banja Luka dhe nuk takohemi me të në Pale, dhe sigurisht që nuk e ftojmë në Uashington dhe nuk ftohet në Bruksel apo ndonjë kryeqytet europian tjetër. Pra, mendojeni atë si shembull.

Sokol Balla: Lidhur me situatën në PD, përsëri, po thoni që në skenarin që kthehet Sali Berisha, keni një përgjigje për këtë?

ZV/NS Escobar: Ne kemi një politikë për këtë. Por shiko, vërtet dua të flas më shumë për marrëdhënien dypalëshe se sa thjesht për Sali Berishën sepse Shqipëria është më shumë se thjesht Sali Berisha. Ky është një vend vërtet dinamik me shumë mundësi që po tregon udhëheqësi në çdo anë, në NATO, në marrëdhënien dypalëshe dhe tani me Këshillin e Sigurimit, dua të flas për këto, aty po shkon marrëdhënia jonë, aty do të jetë marrëdhënia jonë.

Dhe aty duam partnerët tanë të qëndrueshëm të jenë, të gjejnë kush janë udhëheqësit që do ta çojnë Shqipërinë në atë drejtim. Ndaj, vërtet nuk dua të flas për të shkuarën sepse e shkuara është në të shkuarën tashmë, të flasim për të ardhmen dhe le të flasim për mundësitë e jashtëzakonshme që kemi këtu me Shqipërinë.

Dhe më lejoni të them diçka tjetër: një nga arsyet pse kjo administratë ka shpenzuar shumë kohë dhe fokus në këtë pjesë të botës është sepse Ballkani Perëndimor janë një mundësi vërtet e jashtëzakonshme për rritje ekonomike, për rritje të partneritetit. Nëse shihni këtë pjesë të botës, është pjesa që rritet më shpejt në Europë. Ka njerëz që janë vërtet të përqendruar tek krijimi i një të ardhmeje më të mirë për njerëzit dhe kjo është ajo për të cilën dua të flas.