Dalja e lumit Vjosa nga shtrati ka bërë që një numër i madh banesash në Fier dhe Vlorë të mbulohen nga uji. Niveli është kritik në urën e Mifolit  ndërsa në dispozicion janë vënë njësi të Forcave të Armatosura gjatë gjithë natës.

Janë rreth 17 familje të evakuuara në pjesën e Bashkisë Vlorë dhe 15 familje në Ferras. Sipas autoriteteve vendore, të gjithë banorët u njoftuan paraprakisht se do të kishte shtim të nivelit të prurjeve ndërsa atyre të rrezikuarve iu bë thirrje që të largohen nga banesat.

Por të kundërtën thonë burrë e grua në Novoselë të cilët e kanë kaluar natën në tarracën e një ndërtese pasi lumi doli nga shtrati. Ata thonë se askush nuk i lajmëroi për rrezikun që u kanosej.

“Tre metra, dykatëshe. Kati i parë është mbuluar. Nuk u larguam se nuk na lajmëruan. Kam pësuar dëme.  Nuk jam lajmëruar as nga njerëzit… Kam dëgjuar një zetorr ka kaluar nja tre herë. Kemi dhi, pula, rosa. Lajmëruam atë kryetarin e komunës. Nuk kam çfarë them.”

Kryebashkiaku Dritan Leli është shprehur  se pritshmëritë janë pozitive për në orët në vijim, ndërsa shtoi se ajo që po monitorohet është niveli i ujit në urën e Mifolit.

Prurjet e Vjosës nga Përmeti në Tepelënë, ka rënie shkon deri në 4.5 metër. Kemi një pritshmëri pozitive, por ajo që vazhdon në monitorohet është niveli në urën e Mifolit sepse është shqetësues.

“Zgjidhja jepet që në momentin e parë. Kemi shkruar shtëpi më shtëpi dhe kemi njoftuar ata që janë më të rrezikuar. Ata kanë zgjedhur të shkojnë tek të afërmit e tyre. Bllokim i argjinaturës, është një situatë që siç thonë banorët s’ka bërë vaki që uji të kalojë mbi urën e vjetër. Nuk parashikojmë dot çfarë do të ndodhë në vijim.” 

Kurse, drejtori i Emergjencave Civile Haki Çako u shpreh ndër të tjera se investimet e bëra deri më tani kanë ndikuar që të mos ketë përmbytje.