Shqipëria nuk ka kapacitete të ekstradojë 1500 shqiptarë që vuajnë dënimin me burgjet britanike.

Sipas marrëveshjes dypalëshe, janë subjekt transferimi, por vetëm 105 është kapaciteti i vendeve të lira në Shqipëri për individët e burgosur.

Në këtë aspekt vendi ynë nuk mund ta mbulojë këtë marrëveshje, por zëvendës ministrja e Drejtësisë në komisionin për politikën e jashtme dhe atë të sigurisë kombëtare u shpreh se transferimi mund të kryhet vetëm sipas plotësimit të kushteve specifike që marrëveshja parashikon.

“Duhet të plotësohet kriteri i shtetësisë, e dyta personi i dënuar jep pëlqimin për tu transferuar, e treta do duhet të respektohet parimi i reciprocitetit. Vendimi duhet të jetë i formës së prerë d]hen uk dueht të ketë asnjë procedim penal që është duke u zhvilluar në vendin i cili synon që të transferohet.”

Sipas deputetit demokrat Tomorr Alizoti kjo marrëveshje penalizon Shqipërinë, pasi 500 euro është kostoja mujore e një të burgosuri në vendin tonë, vlerë e cila me shtimin e numrit të të burgosurve si pasojë e transferimit është e papërballueshme dhe jo e drejtë.

“Përveç detyrimeve ndërkombëtare çfarë fitojmë ne në këtë marrëveshje? Për një vend të varfër 500 euro janë njerëz që janë të lirë dhe nuk i arrijnë dot. Pse duhet ta pranojmë ne këtë gjë? Për të kënaqur britanikët?”