Endrit Sadedinaj 33-vjeç iu bë një atentat me tritol sot në Vlorë.

Shpërthimi i fuqishëm ndodhi pranë automjetit te tij në një garazh në lagjen “10 korriku” të qytetit të Vlorës.

Pas shpërthimit, Sadedinaj shihej i shtrirë përtokë nga plagët e marra. Mësohet se ai kishte konflikte të mëparshme, pasi në 2017 në lokalin e tij u tentua një atentat nga 7 persona.

Në atë kohë gjatë dëshmisë para hetuesve, Sadedini ka thënë se nuk e ka idenë kush mund ta ketë vendosur eksplozivin dhe nuk dyshonte tek askush.

Në prill të 2017 në lokalin që ai kishte në zotërim u vra një person dhe u plagosën tre të tjerë.

Në atë kohë, Sadedini u procedua në gjendje të lirë nga policia për moskallëzim krimi dhe që prej atëherë e ka lënë lokalin me qira.

Nuk dihet nëse vendosja e tritolit në 2017 kishte lidhje me ngjarjen e prillit.

Sot pas 4 vitesh atij i është kryer një tjetër atentat, tashmë në momentin që ai parkoi makinën poshtë pallatit ku jetonte.

Mësohet se ai është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe i janë prerë të dy gjymtyrët e poshtme nga shpërthimi. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.