Pesë nga fuqitë më të mëdha nukleare u zotuan të hënën që do të krijonin një botë pa armë bërthamore. Kjo ishte një deklaratë e radhë pas tensioneve në rritje midis Lindjes dhe Perëndimit. Një luftë nukleare nuk mund të fitohet dhe të luftohet thuhej në deklaratën e përbashkët të SHBA-së, Rusisë, Kinës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës.

Në deklaratë gjithashtu thuhej se meqë përdorimi bërthamor do të kishte pasoja të gjera, ne pohojmë që për sa kohë ekzistojnë armët bërthamore duhet të shërbejnë për qëllime mbrojtëse, të pengojnë agresionin dhe të parandalojnë luftën. Deklarata erdhi pas tensioneve në rritje midis fuqive botërore në dekadat e fundit raporton “CNN”. Vendosja e trupave ushtarake ruse në kufi me Ukrainën dhe aktiviteti ushtarak i Kinës rreth ishullit të Tajvanit ka ngritur tensionet midis vendeve.

Të pesta shtetet u zotuan se do t’i përmbahen Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore të vitit 1970. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha për “TASS” se deklarata u negociua përmes kanaleve diplomatike dhe që pasqyron plotësisht qëndrimet e palëve. Drejtori i përgjithshëm i departamentit të kontrollit të armëve të Ministrisë së Jashtme kineze deklaroi se Pekini është i përkushtuar ndaj një politike pa përdorim të parë dhe parandalues, pavarësisht modernizimit të aftësive të tij bërthamore.

Drejtoresha ekzekutive e Fushatës Ndërkombëtare për Shfuqizimin e Armëve Bërthamore Beatrice Fihn tha se fjalët e pesë vendeve nuk përputhen me veprimet e tyre. Ajo tha se vendet janë në një garë armësh bërthamore dhe që po shpenzojnë miliarda për modernizimin e këtyre armëve.