Policia rrugore ka njoftuar të gjithë drejtuesit e automjeteve se si do të devijohet trafiku ditën e nesërme, 10 janar për shkak të punimeve që do të fillojnë në orët e para të mëngjesit për rehabilitimin e segmentit rrugor Kryqëzim Rinas (aeroport)-Qafë Kashar (kthesa Rinas).

“Drejtimi i lëvizjes së automjeteve Qafë Kashar-Rinas, do devijohet në autostradë, në drejtimin Qafë Kashar–Vorë-Rinas. Njëkohësisht, drejtuesit e automjeteve të përdorin edhe kalime të tjera alternative në rrugë dytësore,” njofton policia.

Shërbimet e Policisë Rrugore do jenë në rrugë me qëllim shmangien e trafikut dhe orientimnin e drejtuesve të automjeteve.

Policia Rrugore kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të automjeteve, për respektimin në mënyrë rigoroze të sinjalistikës provizore, gjithashtu të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore dhe të autoriteteve të tjera shtetërore.