Për të zgjidhur kolapsin në Gjykatën e Lartë për shkak të numrit të madh të dosjeve, këshilli i ministrave ka nxjerrë një projekt udhëzim për heqjen dorë nga rekurset. Bëhet fjalë për proceset gjyqësore që lidhen kryesisht me ndërprerjen e marrëdhënieve të punës apo njohjen e vjetërsisë në punë.

Sipas propozimit, ministritë dhe institucionet në varësi të tyre të heqin dorë nga rekurset.

Sugjerohet që rekurs të bëhet vetëm në ato raste kur punëmarrësi kërkon një dëmshpërblim mbi 40 fish të pagës minimale. Sipas përllogaritjeve, duke iu referuar pagës minimale, proceset gjyqësore duhet të vazhdojnë në gjykatë lartë kur vlera shkon në 1 milionë e 600 mijë lekë.

Qeveria gjithashtu këshillin institucionet që të mos bëjnë rekurs kur punonjësi i administratës ka marrë dëmshpërblimin monetar me vendim të Apelit.

Propozohet që me heqjen në fuqi të këtij vendimi, institucionet që janë në proces në gjykatë të lartë, të heqin dorë me anë të një kërkesë me shkrim, në përputhje rregullave të përcaktuara në legjislacionin procedural civil dhe atë administrativ.

Udhëzim për të ulur volumin e dosjeve në gjykatë të lartë i është dërguar për konsultim ministrive dhe institucioneve të tyre dhe më pas pritet të hyjë në fuqi

Vetëm në 7 vitet e fundit në këtë gjykatë sipas zv.kryetarit, Sokol Sadushi shteti ka humbur 5404 procese.

Aktualisht në gjykatën e lartë janë 35 mijë dosje të pashqyrtuara. Kolapsi është krijuar edhe për shkak të mungesës së gjyqtarëve. Trupa e gjyakatës duhet të poërbëhet nga 17 anëtarë, por aktualisht janë vetëm 9. Sipas një përllogaritje të thjeshtë një gjyqtari i bie të shqyrtojë në vit 500 dosje.