Vendi do të përfshihet nga temperatura ekstremisht të ulta për rajonin ku ndodhemi duke filluar nga fundjava. Nisur nga temperaturat e ulta, Ministria e Arsimit ka pezulluar mësimin gjatë tre ditëve të para të javës së ardhshme.

I gjithë rajoni pritet të “ngrijë” për shkak të rrymave ajrore të ftohta që vijnë nga veriu i kontintetit, ndërsa në Shqipëri pritet të shënohet edhe temperatura më e ultë e këtij viti, -23 gradë Celsius.

Stacionet meteorologjike ndërkombëtare raportojnë se zona më e ftohtë gjatë këtyre ditëve do të jetë ajo mes Librazhdit dhe Bulqizës, ku në fshatrat Klenjë, Qarrishtë dhe Okshin pritet që termometri të zbresë deri në -23 gradë Celsius.

Temperaturat e ulta do të karakterizojnë të gjithë vendin, përfshi edhe ato bregdetare. Në Vlorë për shembull, termometri pritet të zbresë nën zero, kurse në Durrës do të jetë vetëm 1 gradë Celsius.