Paraditen e sotme, banorët e katër zonave të Tiranës kanë mbërritur para kryeministrisë për të kundërshtuar prishjen e banesave të tyre.

Një prej banorëve të lagjes “5 Maj” ka thënë se ata janë pronarë dhe jo zaptues. Ai shprehet se prej muajsh kërkojnë sqarim nga autoritetet për fatin e pronave të tyre.

Banori thekson se nuk janë kundër zhvillimit të zonës, por nuk mund të trajtohen me akt normativ. Gjithashtu, ai paralajmëron përshkallëzim të protestës.

“Kemi mbi 20 vite që jetojmë atu dhe me kod civil jemi pronarë dhe jo zaptues. Kryetari i bashkisë tha mbrëmë që janë zaptues, jetojnë nëpër kasolle. Unë nuk e prisja që ky kryetar ka marrë votat e këtyre banorëve. Kemi 4 muaj që protestojmë për pronën.

Nuk është dëgjuar fjala jonë. Kemi protestuar për të drejtën e pronës. I kemi kërkuar që të na japin një dëgjesë publike, një sqarim. Realisht nuk na është dhënë asnjë sqarim. Kam 17 vite që jam në proces legalizimi. Kam 35 vjet në atë zonë, që kur kam lindur. Çfarë qeverish kanë ardhur dhe kanë ikur vetëm premtime. Nuk duam premtime, por gjëra konkrete.

Nuk jemi kundër zhvillimit të asaj zone, por mos na trajto me akt normativ për fatkeqësi natyrore. Ne të na trajtojnë si pronarë. Unë personalisht dal në mes të rrugës nesër për një arsye. VKM nuk është ligj. I bëj thirrje Erion Veliaj sot je ti nesër vjen dikush tjetër. Në datë 22 dhe banesa prishet në orën 10. Në date 22 vajza ime ka ditëlindjen dhe mua më prishet shtëpia. Ta garantoj që do të ketë protestat dhunshme, por edhe greva urie”, thotë ai.