Presidenti Ilir Meta ka publikuar fotografi krah përfaqësuesit e tij ligjorë që e mbrojtën në Gjykatën Kushtetuese. Bëhet fjalë për Këshilltarin Ligjor, Bledar Dervishaj dhe Drejtoreshën Juridike, Katrin Treska.

Meta thotë se i falënderoi për përfaqësimin me dinjitet dhe profesionalizëm të Institucionit të Presidentit të Republikës.

Përveç kësaj zbulon se i kërkoi të përgatisin menjëherë padinë për falsifikimin e provave nga Kuvendi, të depozituar në Gjykatën Kushtetuese pa asnjë lloj kërkese.

“Ky skandal shumë i rëndë, duhet të marrë menjëherë përgjigje ligjore! Takohemi shumë shpejt në një komunikim me mediat!”, shkroi Meta.

Vendimi për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës Ilir Meta do të jepet brenda 30 ditësh. Pas një procesi prej rreth 3 orësh ku u dëgjuan palët, Gjykata Kushtetuese u tërhoq për vendim për kushtetueshmërinë ose jo të vendimit të parlamentit për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta.