Vitin e kaluar, Wayne Rooney ishte në mes të polemikave, pasi dolën në dritë disa foto në të cilat ai shfaqej në një dhomë hoteli me tri femra gjysmë të zhveshura. Një skandal që shkaktoi lloj-lloj reagimesh në Angli, ku trajnerit të Derby County iu desh t’i kërkonte falje bashkëshortes së tij, Coleen.

Madje, ajo vetë ka thyer heshtjen pas asaj që ka ndodhur, duke pretenduar se alkooli e ka njollosur gjithmonë karrierën dhe imazhin e ish-futbollistit, i cili me kalimin e viteve ka grumbulluar disa skandale.

Pavarësisht gjithë kësaj, Coleen i ka qëndruar pranë babait të fëmijëve të saj: “E dija që grupet me të cilat shoqërohej Wayne, bashkë me alkoolin, nuk ishin të mira. E fala, por nuk ishte sjellje e pranueshme”.

Megjithatë, disa muaj pas skandalit të tij seksual, Coleen ka dashur t’i vendosë një sërë kufizimesh bashkëshortit, për të mos lejuar që ato skandale të përsëriten. Ajo dëshiron që Rooney të jetë i shoqëruar në çdo kohë, siç kanë rrëfyer miqtë e tij për “The Sun”.

Pasi nisën lidhjen e tyre vetëm 16 vjeç, tashmë me 13 vite martesë, Coleen është e gatshme të bëjë gjithçka për ta mbajtur larg skandaleve Rooney. Kjo është arsyeja pse iu tha miqve të saj se nuk iu beson fjalëve të trajnerit.

Coleen  dëshiron që një i rritur dhe i përgjegjshëm, qoftë vëllai i tij Joe apo dikush tjetër, të cilit i beson, të jetë me të gjithë kohës. Një tjetër burim ka folur me tabloidin britanik dhe ka zbuluar se “alkooli ka qenë gjithmonë një çështje qendrore.

Ai e di se gjërat e këqija ndodhin kur dehet, se humbet kontrollin dhe merr vendime të tmerrshme. Coleen nuk i beson atij apo njerëzve me të cilët takohet, veçanërisht kur bëhet fjalë për alkoolin. Ajo e sheh atë si një fëmijë që duhet të mbahet në rrugën e duhur”.