Kreu i PD-së Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka folur në lidhje me aferën e inceneratorëve, që sipas tij do të sjellë edhe ‘kurbanin’ e radhës të Edi Ramës.

Basha u shpreh se Lefter Koka është vetëm bishti i kësaj afere sipas tij.

“SPAK duhet të veprojë sot me arrestimet e përgjegjësve, mos të presë që Rama ti shkarkojë ministrat e më pas ti arrestojë. Edi Rama ka bërë gati kurbanin e radhës për këtë aferë, me shpresën që të shpëtojë vetë. Por s’ka shqiptar që nuk e di që një skeme e tillë korruptive, nuk bëhej pa miratimin e Edi Ramës”, tha Basha.

Kryedemokrati tha se në këtë betejë, PD ka edhe mbështetje të faktorëve ndërkombëtarë, partnerëve euroatlantik.

“Në situatën ku ndodhet vendi, në një Republikë bananesh ku nuk funksionon ligji, ku kemi një ndërhyrje të interesave mafioze. Beteja garanci të parë për fitoren ka se i del për Zot shqiptarëve, socialistë dhe demokratë. Paratë e shqiptarëve i vodhi kjo organizatë mafioze.

Ne jemi të vendosur të mbrojmë interesin e shqiptarëve dhe për këtë na mbështet edhe faktori euroatlantik që do që politikanët e korruptuar të largohen”, deklaroi Basha.

Basha, i bëri thirrje SPAK që të vazhdojë hetimet për çështjen e inceneratorëve dhe të mos presë dorëheqjen e zyrtarëve për t’i arrestuar.

“Mos prisni që të japë dorëheqjen ministri i radhës por vërjani prangat në ministri, mos prisni që të japë dorëheqjen kryebashkiaku i radhës por vërjani prangat në zyrë. Do të kenë mbështetjen e gjithë shqiptarëve. Me këtë aferë është zbuluar afera më e madhe korruptive për të zhvatur të ardhmen e shqiptarëve”, tha Basha.