Këtë mëngjes, zëvendëskryeministri Bytyqi dhe nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq zhvilluan një takim bilateral dhe një konferencë të përbashkët shtypi ku folën për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ekonomik duke shfrytëzuar kapacitetet e të dy vendeve. Zëvendëskryeministri Bytyqi në veçanti theksoi bashkëpunimin regjional për të rritur konkurrentshmërinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Konkurrentshmëria regjionale është çelësi që hap derën e prosperitetit në Ballkanin Perëndimor. Konkurrentshmëri regjionale në vend të konkurrencës regjionale! Kjo është e ardhmja jonë”, tha Bytyqi në konferencën e përbashkët të shtypit.

Bytyqi dhe Abazoviq shkuan për të vizituar kompaninë “Tikvesh”, një markë maqedonase me një histori të suksesshme vendase, por gjithashtu një ambasador i verës maqedonase edhe përtej kufijve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq i bënë një xhiro kapaciteteve prodhuese të “Tikveshit”, ku u njohën me historinë e kompanisë, por edhe me teknologjinë e prodhimit.

Gjatë vizitës, zëvendëskryeministri Bytyqi dhe nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq biseduan edhe për mundësi të reja potenciale për bashkëpunim midis dy vendeve, duke theksuar se të dy vendet kanë burime të mëdha natyrore, të cilat shndërrohen në produkte cilësore që mund të jenë konkurruese në tregjet regjionale, evropiane dhe botërore.