Për herë të parë në zgjedhje, demokratët do të kenë si kandidaturë për të votuar, jo vetëm emrat e kundërshtarëve politikë, por edhe emrat e kandidatëve të Berishës dhe Bashës. 6 marsi më shumë se sa një betejë elektorale, ngjan si një betejë mes demokratëve. Këto zgjedhje do të tregojnë me vota, se kush e ka mbështetjen më të madhe.

Ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia do të jetë kandidati i grupit të Sali Berishës për zgjedhjet e 6 marsit për bashkinë e Shkodrës. Nga ana tjetër PD do të futet në garën e zgjedhjeve lokale për bashkinë e Shkodrës, me Xhemal Bushatin. Ndërsa Majlinda Angoni, është kandidatja e PS, për Shkodrën.

Por gara më e fortë duket ajo mes drejtuesve të fushatës. Ajo që bie në sy është se Berisha ka rikthyer në ‘lojë’, një sërë figurash të vjetra, për të cilët historia dëshmon se në kohë të ndryshme, herë i ka pasur bashkëpunëtorë e herë armiq. Arben Imami, është njëri prej tyre. Një zë i fuqishëm tashmë kundër Bashës, Imami është drejtuesi i fushatës i “Shtëpisë së Lirisë” për Bashkinë e Shkodrës. Përballë tij në këtë bashki për zgjedhjet e 6 Marsit është i deleguari i PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Ndërsa Berisha ka nisur prezantimin e kandidatëve të tij në të 6 bashkitë, duket se luftën më të madhe, e ka me Bashën si kundërshtar, se sa me PS. Ndërkohë Basha ende nuk ka nisur takimet me kandidatët, ndërsa punën tashmë e kanë nisur drejtuesit e fushatës. Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi do të udhëheqë fushatën në Lushnje, Grida Duma në Durrës e Rrogozhinë, Enkelejd Alibeaj në Shkodër, Jorida Tabaku në Vorë dhe Xhelal Mziu në Dibër.