Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike Grida Duma deklaroi sot në konferencën e LDGSH, se përsëritjet e shpeshta në diskursin e politikanëve në Shqipëri i çojnë qytetarët të mendojnë se po flasin me hipokrizi. Duma u shpreh se kjo vjen nga komunikimi me terma të përgjithshëm.

“Në Shqipëri ne e kemi problem. Shumë pak kemi shkollë politike që njerëzit të hyjnë në politikë me një program të caktuar, Komunikimi në politikë është tre-çereku i suksesit. Ka pafund raporte që janë përmbajtje e zhvillimit të politikave por asnjëherë nuk i thonë asgjë publikut. Brenda komunitetit politik është e vështirë të komunikohet përmbajtja.

Problemi më i madh është komunikimi i përmbajtjes. Bota po shkon drejt komunikimit të thjeshtë. Ne vijmë nga një shkollë me një metodikë ku kemi stilin didaktik të të lexuarit dhe të thënit të gjërave. Ne fjalët e përgjithshme i kemi momentin e parë hyrës në një komunikim.

Në qoftë se duam të jemi të qartë dhe produktiv duhet të kemi parasysh që në këtë botë të shpejtë dhe në këtë Shqipëri të lodhur, kur dëgjojmë fjalë të përgjithshme e heqim televizorin. Fjala nuk ka vlerën e vet kur imponohet hipokrizi. Mes fjalës së politikës standarde dhe komunikimit ka një standard që dëgjuesi që është dyshues na thonë hipokrizi”, deklaroi Grida Duma.