Familjarët e 8-vjeçarit Mateo Vasiut vijojnë të mbeten në sheshin kryesor të Fierit, ndonëse nata ka mbërritur dhe pas një dite të lodhshme duhet të çlodheshin.

Ata janë duke ftuar qytetarët për të firmosur peticionin për varjen e Klodian Çalamanit, i cili rrëmbeu dhe goditi për vdekje me lopatë vogëlushin 8-vjeçar.

Dhimbja e madhe që po përjetojnë pas vrasjes së Mateos, e cila përbën një nga ngjarjet më monstruoze që kanë ndodhur në vendin tonë përgjatë viteve të fundit, ka bërë që ata të kërkojnë mbledhjen e firmave për varjen e monstrës së Fierit, pasi ai nuk e meriton të qëndroj në burg, ku nuk do t’i mungonte asgjë përveç lirisë.

Të shumtë kanë qenë qytetarët që kanë mbështetur nismën e familjarëve, duke firmosur peticionin. Në mesin e personave që kanë firmosur peticionin pro varjes së Çalamanit kanë qenë dhe shumë gazetarë të cilët ishin të pranishëm në Gjykatën e Fierit, ku u caktua masa “arrest me burg” ndaj 38-vjeçarit.