Komisionerja e Bashkimit Europian për arsimin, inovacionin, kulturën, edukimin dhe rininë, Maryia Gabriel është bërë sot “mollë sherri” mes socialistëve dhe demokratëve shqiptarë pasi vlerësoi planin e Bashës për arsimin dhe bëri thirrje për të shfrytëzuar fondin 26 miliardë euro të KE për arsimin.

Kryeministri Rama e akuzoi komisioneren Gabriel se po ndërhyn në fushatë: “Dikush në Bruksel duhet t’u thotë komisionerëve që harxhojnë kohën e punës së paguar nga taksat e popujve të Europës, për të bërë videomuhabete elektorale me Lulëzim Bashën, se kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE!”

“Në dijeninë time Komisioni Europian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale dhe unë pres ta mësoj zyrtarisht e publikisht nga Brukseli, nëse e kam unë gabim e ndoshta komisionerët kanë vërtetë të drejtë të bëhen palë kur popujt e Europës zgjedhin qeveritë e tyre!”, u shpreh Rama në reagimin e tij të ashpër.

Basha: Rama, pse je kaq nervoz?!

Pak më pasi ishte Basha që iu përgjigj Ramës: “I habitshëm nervozizmi i Rames. Unë, PD dhe shqiptarët e kemi përcaktuar rrugën tonë që në dhjetorin ‘90: ajo është rruga që të çon në Europë.

Sot të gjithë e kuptojnë se pa u afruar me BE, Shqipëria nuk do të mund të bëjë përpara. Për 8 vjet, jo vetëm që Rama nuk bëri asgjë për ta afruar integrimin, por ai bëri hapa prapa. Unë jam i vendosur të bëj gjithçka për të ecur përpara me integrimin europian, për të sjellë ndryshimin e vërtetë, arsim cilësor dhe punësim dinjitoz për shqiptarët këtu në Shqipëri. Mirënjohje BE, KE për ndihmë e pakursyer që i kanë dhënë dhe do ti japin vendit tonë.”

Mbështetja që ofroi sot komisionerja Gabriel 

Zonja Gabriel vlerësoi planin Basha për arsimin duke vlerësuar se kjo iniciativë me aleancat universitare është një nga më të rëndësishmet.

Zonja Gabriel, një eurodeputete nga Bullgaria, në një takim online sot me kreun e opozitës, Lulzim Basha, tha se inkurajon “bashkëpunimin, krijimin e një platforme të përbashkët për shkëmbim midis universiteteve në Shqipëri dhe universiteteve si ju sot, sepse ky është një sinjal shumë i fortë.”

Ajo njoftoi z.Basha se 26 miliardë euro janë gati për financim dhe ftoi kreun demokrat kandidar për kryeministër që të shfrytëzojnë këtë mundësi:

“Mme buxhetin e ri të programit tonë, Erasmus +, 26 miliardë euro për periudhën e ardhshme, do të ketë shumë më shumë mundësi për këtë dhe natyrisht kjo do të thotë më shumë mundësi për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, kjo do të thotë që nga ana jonë me ndihmën tonë para anëtarësimit, do të mbështesim skemat e garantimit të të rinjve në Ballkanin Perëndimor dhe ne po punojmë gjithnjë e më shumë me Komisioner Schmit mbi këtë”.

Duke folur në emër të KE ajo ofroi ndihmë konkrete të mëtejshme: “Komisioni Evropian është këtu për t’ju ndihmuar, për të mbështetur Shqipërinë, rajonet e Ballkanit Perëndimor. Nga ana ime ju siguroj që, ne do të përdorim të gjitha mjetet dhe iniciativat në dispozicion përfshirë agjendën e ardhshme – Agjenda e Ballkanit Perëndimor në Inovacion/Zhvillim e sipër, Kërkim Shkencor, Kulturë, Arsim dhe Rini për të avancuar bashkëpunimin tonë dhe për të rritur rimëkëmbjen socio-ekonomike dhe konvergjencën me BE”.

Më tej ajo tha se arsimi kërkon një qasje vizionare dhe bashkëpunim më të thellë në nivelin europian.