Dita e sotme dhe e nesërme do të jenë nën prezencën e kthjellimeve dhe temperaturave të larta, duke bërë që vlera maksimale të shkojë në 17 gradë Celsius.

Sinoptikani i Meteoalb, Akil Osmani, tha se vetëm gjatë ditës së dielë pritet të ketë edhe prezencë të vranësirave, sidomos gjatë pasdites, kryesisht në zonat veriore dhe qendrore të Shqipërisë.

“Dita e sotme ka sjellë prezencë të mjegullës në disa zona të territorit shqiptar, por pritet që orët në vijim të jenë nën mbizotërimin e kthjellimeve, kalimit të pakët të vranësirave por që nuk do të jenë problematike pasi këto më të fokusuara do të jenë në zonat malore.

Po ashtu, edhe dita e shtunë mbetet më së shumti nën prezencën e kthjellimeve, ndërsa dita e dielë pritet të ketë prezencë të shpeshtë të vranësirave ku në pjesën e dytë të ditës këto vranësira do të pësojnë herë pas here zhvillim duke krijuar mundësira për reshje të pakta dhe të izoluara, këto në zonat veriore dhe qendrore të territorit shqiptar.

Përsa i përket temperaturave, mbeten të larta sot në vlerën 17 gradë Celsius vlera maksimale, por po ashtu do të vijojë rritja e lehtë e temperaturave të ajrit si në vlerat minimale dhe ato maksimale duke bërë që minimumet në zonat malore të ngjiten edhe në 2 apo 3 gradë Celsius, ndërsa maksimumet do të luhaten në vlerat 17-18 gradë Celsius gjatë kësaj fundjave duke bërë që të kemi temperatura rreth 3 gradë më të larta se sa vlerat normale”, u shpreh meteorologu Akil Osmani.