Tensioni midis Ukrainës dhe Rusisë po rritet gjithnjë e më shumë, orë pas ore. Për këtë ka folur edhe ish-trajneri i kombëtares së futbollit dhe idhulli i vjetër i tifozëve të Milanit, Andriy Shevchenko.

Ish-sulmuesi i shquar ukrainas ka postuar në rrjetet sociale imazhin e kufijve të vendit të tij me një flamur dhe mesazh drejtuar bashkëkombasve:

“Së bashku do të fitojmë, lavdi Ukrainës! Unë kam qenë gjithmonë krenar për popullin dhe vendin tim. Ne kemi kaluar shumë kohë të vështira dhe në 30 vitet e fundit jemi formuar si komb.

Një komb me qytetarë të sinqertë, punëtorë dhe liridashës. Kjo është pasuria jonë më e rëndësishme. Sot është një kohë e vështirë për të gjithë ne, por duhet të bashkohemi. Së bashku do të fitojmë!”

Ukrainasit po përgatisin ushtrinë e tyre, duke bërë pjesë të saj edhe ish-kampionin e boksit në peshën e rëndë, Vladimir Klitschko. Ish-boksieri u tregua i gatshëm për t’u regjistruar në ushtrinë rezerviste të Ukrainës, me motivin se dashuria për vendin e tij e detyroi atë t’i dilte në mbrojtje:

“Është dashuria, dashuria për qytetin tim, shtëpinë, familjen time, fqinjët, vajzën time që më ka sjellë këtu sot, që mora këtë iniciativë dhe tani po marr pjesë në këtë mbrojtje të territorit.” Edhe vëllai i tij, Vitali Klitschko, aktualisht kryebashkiaku i Kievit, ka shprehur mbështetjen për mbrojtjen e shtetit në këtë situatë të vështirë.