Boris Johnson thotë se vënia e forcave bërthamore të Rusisë në gatishmëri të lartë nga Vladimir Putin është “një shpërqendrim nga realiteti i asaj që po ndodh në Ukrainë”.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar lavdëroi ukrainasit për “luftimin… me më shumë rezistencë nga sa kishte parashikuar Kremlini”. “Ajo që po ndodh në kontinentin europian është një katastrofë absolute”, tha ai.

Johnson po ashtu ka dyshime mbi negociatat e mundshme midis delegacioneve ruse dhe ukrainase në përpjekje për të zgjidhur krizën.

Duke folur për gazetarët Johnson tha se Putini “ka vendosur të zhvillojë një luftë kundër popullit të Ukrainës”, ndaj thekson se “dyshon” në “sinqeritetin” e presidentit rus për bisedime me Ukrainën.

“Nëse ai dëshiron të ndalojë, nëse dëshiron të tërhiqet, nëse dëshiron të negociojë, ky është një lajm shumë i mirë. Por unë kam dyshimet e mia. Asgjë që kam parë deri më tani në sjelljen e tij nuk më bën të mendoj se ai mund të jetë i sinqertë”, tha Johnson. Më tej Johnson tha se nëse homologu i tij rus është i sinqertë, ai “duhet t’i tërheqë makinat e luftës nga Ukraina”.

Presidenti Volodymyr Zelensky ra dakord që të dyja palët mund të takohen në kufirin Ukrainë-Bjellorusi, duke refuzuar fillimisht një ofertë për bisedime në Bjellorusi. Por Johnson thotë se nuk ka parë asgjë që të sugjerojë se Putin është i vërtetë në ofertën e tij.

Sakaq Boris Johnson ka akuzuar kanalin rus të lajmeve RT për “shitje” të materialeve që “po i bëjnë shumë dëm të vërtetës”.