Ukraina në ditën e 11-të të luftës. BBC shkruan se këtë mëngjes kanë rënë sirenat e sulmit ajror në qytetin qendror të Poltava, i cili shtrihet midis Kievit dhe Kharkiv.

Presidenti i Ukrainës Zelensky u bëri thirrje sërish aleatëve perëndimorë që të shpallin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë në një video-telefonatë me 300 ligjvënës amerikanë të shtunën. Ai gjithashtu pati një telefonatë me presidentin amerikan Biden të shtunën mbrëma.

NATO ka refuzuar vazhdimisht një zonë të ndaluar fluturimi, e cila mund t’i sjellë forcat perëndimore drejtpërdrejt në konfrontim ushtarak me Rusinë.
Udhëheqësi rus Vladimir Putin paralajmëroi se ai do ta konsideronte një zonë të ndaluar fluturimi si një akt lufte.

Rusia vazhdon të bombardojë qytetin strategjik jugor të Mariupolit. Një armëpushim fillestar për të lejuar evakuimin e civilëve ka dështuar, thonë zyrtarët ukrainas
Situata në Mariupol dhe rajoni i Sumy është në “prag të një katastrofe humanitare”, tha një zyrtar i qeverisë ukrainase për një kanal lokal lajmesh.

Nuk ka furnizim me energji elektrike ose ujë në dy qytete në rajonin e Sumy-t, shtoi këshilltari i qeverisë Vadim Denisenko. Gjigantët amerikanë të pagesave Visa dhe Mastercard kanë pezulluar të gjitha operacionet në Rusi. Përfaqësuesit rusë dhe ukrainas do të takohen për një raund tjetër negociatash të hënën.