Ish-kryeministri Sali Berisha tha sot se kërkon publikisht dhe zyrtarisht nga qeveria amerikane që të ndalë ndërhyrjet e ambasadores së tyre në sistemin gjyqësor shqiptar.

Berisha u ndal konkretisht në çështjet brenda partisë së tij kur akuzoi ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, se po ndërhyn drejtpërdrejt në procesin gjyqësor të Partisë Demokratike.

“I bëj thirrje qeverisë së SHBA që të ndalojë ndërhyrjet e përfaqësueses së saj në proceset gjyqësore në Shqipëri”, tha Berisha.

Berisha tha se, ambasadorja Kim ka pasur takime për të ndikuar në vendimmarrjen e Gjykatës së Apelit.

“Javën e kaluar u informova se kam informacion për dy burime, së fundmi guvernatorja (Yuri Kim) bën takime për procesin gjyqësor. I bëj thirrje qeverisë së SHBA të ndalojë ndërhyrjet e përfaqësues së saj në proceset gjyqësore në Shqipëri”, u shpreh Berisha.

Berisha tha se ndërhyrja e ambasadores në çështjen e opozitës është “qesharake”.

“I them që ka marrë fund koha e lojës dhe diktimit të akuzave që duhet të bëjë opozita”, shtoi Berisha.

Gjykata e Tiranës ka njohur Kongresin e organizuar nga ish-kryeministri Berisha, ndërkohë kryetari në detyrë, Enkelejd Alibeja e ka ankimuar vendimin në Gjykatën e Apelit.