Ka ndërruar jetë në një burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gilberto Rodriguez Orejuela, ish-kreu i kartelit të fuqishëm të drogës kolumbiane Cali.

Në një periudhë të caktuar, Orejuela kontrollonte pjesën më të madhe të tregtisë së kokainës në botë dhe ishte armiku kryesor i Pablo Escobar.

83-vjeçari njihej ndryshe me nofkën “Lojtari i Shahut” për aftësitë e tij për të qenë një hap përpara rivalëve dhe ligjit. Por në vitin 1995, ai u arrestua në Kolumbi dhe më pas u ekstradua në SHBA në vitin 2004.

Ish-narkotrafikanti po vuante një dënim prej 30 vitesh në një burg në Karolinën e Veriut, ku dhe ndërroi jetë.

Në kulmin e “mbretërimit”, Gilberto Rodriguez Orejuela drejtoi kartelin famëkeq Cali, së bashku me vëllanë e tij Miguel.

Sipas agjencisë amerikane të luftës ndaj drogës, vëllezërit mbulonin me kokainë 80% të tregut global, në mesin e viteve 1990.