Lufta në Ukrainë po ngre çmimet kudo në botë, dhe jo vetëm të hidrokarburëve ose të grurit, që janë produktet për të cilët flitet më së shumti.

Shembulli konkret vjen nga Singaporit, qyteti-shtet i pasur i Azisë, një nga nyjat financiare dhe tregtare ndërkombëtare. Pothuajse 6 milionë personat me origjinë nga më të ndryshmet që banojnë dhe punojnë në ishull kanë pothuajse vetëm një gjë të përbashkët, dashuria për gatimet tradicionale që kanë për bazë pulën dhe orizin, si dhe erëzat karakteristike.

Por pikërisht pulat e freskëta prej disa ditësh janë pothuajse të zhdukura nga dyqanet dhe supermarketet e shumta, për shkak të një vendimi që vjen nga vendi fqinj i Malajzisë, dhe që disa analistë kanë filluar ta cilësojnë si “lufta e pulave”.

Malajzia furnizon me pula të freskëta Singaporin, me pothuajse 30% të nevojës, rreth 3.6 milion pula në muaj, vendim i marrë për të mbajtur rezervat e brendshme në pritje të një rritje globale te çmimeve që mund të krijojë pamundësinë e transportit të produkteve nga vendet e tjera.

“Është një katastrofë, jemi si një McDonalds pa hamburger”, thotë Daniel Tan, një nga pronarët e një rrjeti dyqanesh në Singapor.

Recetat në ishull parashikojnë përdorimin e pulave të freskëta, dhe opsione të pulave të ngrira nga vende si Brazili nuk priten me entuziazëm nga publiku. Shumë dyqane dhe restorante kanë filluar të ndryshojnë menu, duke u përqendruar te mishra të ndryshëm ose te peshku.

Shembulli i Singaporit është vetëm një nga të parët që po dalin në pah, në “stuhinë ekonomike” që parashikohet me rritjen e çmimeve të karburantit dhe drithërave si pasojë e konfliktit ukrainas, por edhe të dyvjeçarit pandemik dhe nga një sezon thatësie që ka shkatërruar të mbjellat në shumë vende të botës.

Shumë vende po vendosin politika proteksioniste për produktet e tyre. India ka kufizuar eksportin e grurit,  por edhe atë të sheqerit. Indonezia ka bllokuar tregtinë e vajit të palmës, por u tërhoq më pas nga vendimi.   /a2