Ambasada amerikane në Shqipëri mirëpriti miratimin nga Këshilli i Ministrave të hartës së re gjyqësore sot.

“Harta e gjykatave të Shqipërisë u hartua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor nëpërmjet një procesi që përfshiu Ministrinë e Drejtësisë dhe aktorë të tjerë, si dhe ndihmë teknike nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës. Marrëveshja për hartën, e cila pasoi konsultime të gjera dhe marrjen në shqyrtim të shqetësimeve nga palët e interesuara si pjesë e procesit tre-vjeçar, përfaqëson një shembull të mirë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të pavarura. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përmbushur me sukses detyrimin e tij ligjor për të garantuar rregullisht që sistemi i gjykatave është gati për të siguruar performancë te efektshme gjyqësore dhe për t’i dhënë drejtësi pa vonesë qytetarëve shqiptarë”, thuhet në një njoftim të ambasadës në Facebook.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, njoftoi pas mbledhjes së qeverisë se harta e re gjyqësore bën që në vend të ketë 13 gjykata të shkallës së parë, një Apeli dhe dy administrative. Dhoma e Avokatisë vijon të kundërshtojë hartën e re gjyqësore, duke paralajmëruar si hap të radhës dërgimin në Gjykatën Kushtetuese.

Maks Haxhia tha se kjo është harta më e gabuar në sistemin gjyqësor. “Jemi të bindur që pasojat do të jenë tejet të rënda nëse aplikohet kjo hartë. Kemi protestuar në mënyrë civile dhe demokratike, pavarësisht se nuk na kanë dëgjuar. Hapi ynë final do të jetë Gjykata Kushtetuese”, tha Haxhia.