Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, tha se për shkak të krizës së çmimeve të energjisë, qeveria ka vendosur të ndërmarrë masa, për të shmangur vështirësitë.

“Gjatë muajit gusht 2022, energjia tregtohej me 1040 euro për mgwh, në gusht 2021 tregtohej me 150 euro për mgwh. Kjo paketë nis me vendosjen e fashës 800 kwh, që prek një grup shumë të vogël abonentësh, mbi 96% konsumojnë nën 800 kwh në muaj”, tha Balluku.

“Sipas llogarive tona, efektet e fashës 800 kwh nga data 1 tetor, në 15 muajt e ardhshëm, do të kursejmë 100 milionë euro. Gjithashtu, parashikohet të kemi edhe një ulje me 2,5 herë të konsumit të përgjithshëm të energjisë”.

Ministrja konfirmoi se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë, çka sipas saj e bën të vështirë konceptimin se gjendemi në një krizë energjetike. Ajo dha gjithashtu detaje për çmimin që do të aplikohet për energjinë elektrike të konsumuar mbi fashën 800 kwh. “Nga 800 e sipër çmimi është 35 lekë për kwh + 7 lekë tarifa e transmetimit dhe shpërndarjes, 42 lekë për kwh. Ndërsa për nën 800 kwh, çmimi do të vijojë të jetë 9,5 lekë për kwh”, tha Balluku.

Sipas saj, çmimi në fjalë do të jetë i vlefshëm deri në datë 31 dhjetor. Më pas, do të analizohet sërish tregu për të vendosur një çmim të ri.