Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Liz Truss, dha dorëheqjen nga posti, pas vetëm 45 ditësh në detyrë.

Ajo tha se nuk mund të vazhdonte në detyrë për shkak se nuk mund të zbatonte premtimet me të cilat u zgjodh në këtë detyrë nga partia e saj.

Mandati i saj i shkurtër u shënua nga largimi i beftë i dy ministrave dhe kriza e tregjeve financiare në vend. Sipas mediave britanike, ajo mori këtë vendim për shkak se humbi besimin e thuajse të gjithë deputetëve të Partisë Konservatore, të cilët votuan dy muaj më parë për ta zgjedhur si pasuesen e Boris Johnson.

Bashkë me postin e kreut të qeverisë, ajo hoqi dorë edhe nga ai i kryetares së partisë. Gara për pasuesin ose pasuesen e saj do të mbahet brenda javës së ardhshme, çka do të thotë se brenda tetorit, Britania do të ketë kryeministrin e tretë për këtë vit.