Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama se Britania e Madhe nuk duhet të diskriminojë shqiptarët, por të punojë për të forcuar kufijtë e vet kundër emigracionit të paligjshëm, ka reaguar zyra e kryeministrit britanik, Rishi Sunak.

Zëdhënësja e Sunak tha se Britania ka një marrëdhënie të fortë me Shqipërinë dhe i është falënderuese vendit tonë për punën që bëhet për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore. “Duam të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi me partnerët ndërkombëtarë për të thyer modelin e biznesit të trafikantëve të qenieve njerëzore dhe i jemi mirënjohës Shqipërisë për punën që bën me ne në këtë drejtim”, thuhet në reagim.

Qeveria e re britanike duket se po kërkon ta trajtojë me seriozitet çështjen e emigracionit të paligjshëm në vend, i cili është kthyer në një problem serioz, me mijëra emigrantë që hyjnë përmes detit në ishull, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë. Ministrat janë duke hartuar në këtë mënyrë një plan, i cili parashikon kthimin e menjëhershëm të emigrantëve shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve pasi hyjnë në Britaninë e Madhe, kërkojnë azil.

Sipas këtij plani, emigrantët shqiptarë do të kthehen brenda disa ditësh pas në vendin e tyre që të mos kenë kohë që të kërkojnë azil, pasi Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe emigrantët nga ky vend nuk mund të përfitojnë statusin e azilantit, vetëm në raste shumë të veçanta.

Ligjet aktuale parashikojnë se kur emigrantët mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuara ata duhet të vendosen nëpër hotele, por kjo nënkupton shpenzime të mëdha nga paratë e taksapaguesve britanikë.

Lidhur me këtë zhvillim, por edhe debatet e javëve të fundit ka ndërhyrë dhe kryeministri Edi Rama, duke dënuar shënjestrimin e shqiptarëve dhe diskriminimin e tyre, siç tha ai, për të mbuluar politikat e dështuara. “Kur Gjermania kishte një problem të ngjashëm shtrëngoi sistemet e veta. Mbretëria e Bashkuar mund dhe duhet të bëjë të njëjtën gjë, jo të përgjigjet me retorikë krimi që përfundon me ndëshkimin e të pafajshmëve”, tha Edi Rama.

Në një intervistë për BBC mbrëmjen e së mërkurës, kryeministri shqiptar Edi Rama, akuzoi Britaninë e Madhe se po i kthente në kokë turku qytetarët e vendit të tij, për të justifikuar politikat e dështuar mbi kufijtë dhe emigracionin. Deklarata e Braverman, sipas Ramës ishin një çmenduri dhe ushqenin ksenofobinë.

“Nuk ka të bëjë më një person, por me klimën që është krijuara; me faktin se po kërkohen koka turku dhe po fajësohen të tjerët. Nuk ka të bëjë me shqiptarët apo alienët apo gangsterët, por me politikat e dështuara mbi kufijtë dhe krimin. Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program e as vizion. Ajo nxit ksenofobi duke shënjestruar dhe veçuar vetëm një komunitet. Unë vlerësoj gjithçka që përfaqëson politika Britanike, por jam vërteti neveritur lidhur me këtë lloj politike e cila në fund është e destinuar të dështojë”, tha Rama.

Shqiptarët përfaqësojnë tani grupin më të madh të atyre që kalojnë kanalin e La Manshit më gomone. Sipas të dhënave që u janë treguar parlamentarëve, 12 mijë shqiptarë kanë mbërritur në Britaninë e Madhe përmes kanalit, që prej fillimit të vitit, krahasuar me 50 që ishin në 2020. Nga këto shkruajnë mediat në vend, 10 mijë ishin meshkuj, që siç thuhet përfaqësojnë 1 për qind të popullsisë së rritur mashkullore.