Policia ka bërë të ditur se ka vënë në pranga administratorin e kompanisë së bananeve, ku një ditë më parë u gjetën 33,5 kilogramë kokainë në një ngarkesë në Portin e Durrësit, ndërsa është shpallur në kërkim presidenti i kompanisë. Në pranga janë vënë edhe 2 punonjës të skanerit në Portin e Durrësit.

“Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera nga strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për zbardhjen e rastit të trafikimit të 33.5 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, që u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, gjatë operacionit policor të koduar “Again”,  u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Petrit Dermishaj, 57 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i kompanisë që kishte porositur ngarkesën me banane, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”;

A. N., 48 vjeç, banes në Tiranë, me detyrë operator skaneri, në Portin e Durrësit, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsfikimi kompjuterik”; 

A. S., 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë imazhier skaneri, në Portin e Durrësit, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Flasifikimi kompjuterik”.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi Trifon Murataj, 53 vjeç, banues në Tiranë, president i kompanisë pritëse të ngarkesës me banane. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij. 

Arrestimi i 3 shtetasve dhe shpallja në kërkim e presidentit të kompanisë, u bënë në kuadër të operacionit policor të koduar “Again”, gjatë të cilit, shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën informative që dispononte Policia e Shtetit, se në një kontenier me ngarkesë bananesh, për llogari të një kompanie në Tiranë, kishte lëndë narkotike, ushtruan kontroll të imtësishëm me qen antidrogë, pavarësisht se skaneri e nxorri të pastër ngarkesën me banane.  Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar trafikimin e 33.5 kg kokainë, nga Ekuadori në drejtim të Portit të Durrësit”, njofton policia.