Gjykata e Lartë vendosi të mbyllë përjetë në qeli Sokol Mjacajn, autorin e vrasjes së dy turistëve çekë në vitin 2015 në Prekal të Shkodrës. Në Gjykatën e Lartë, Mjacaj, që ishte 20-vjeçar në kohën e krimit, kërkoi shfuqizim të këtij dënimi të dhënë më herët për të nga Shkalla e Parë dhe Apeli i Shkodrës, pasi u vlerësua fajtor për “vjedhje me pasojë vdekjen” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Një Kolegj Penal i relatuar nga gjyqtari Sandër Simoni vendosi të mos e pranojë rekursin, duke e çimentuar kështu dënimin me burgim të përjetshëm për të riun.

Mjacaj i ishte drejtuar Gjykatës së Lartë prej vitit 2016, por për shkak të numrit të lartë të dosjeve në pritje të gjykimit në këtë gjykatë, bëri që çështja të merrej në shqyrtim këtë korrik.

Ngjarja e bujshme faturën e së cilës po paguan Mjacaj ndodhi 4 korrikun e shtatë viteve më parë. Pasi hipi si pasagjer në automjetin “Nissan Patrol” ku udhëtonte çifti i turistëve çekë, Michales Svatos, 27 vjeç dhe Anna Kosinova 36 vjeçe, ai nxori një armë dhe i qëlloi për vdekje. Pas arrestimit Mjacaj pranoi se nuk kishte pasur qëllim vrasjen e dy turistëve, por vetëm grabitjen e tyre. Mjacaj u arrestua rreth 2 ditë pasi u mori jetën dy turistëve që po vizitonin zonën e Shkodrës.

Kur ishte vetëm 15 vjeç, Mjacaj ishte dënuar me 10 vite burg, pasi bashkë me dy persona të tjerë kishin ndaluar një 13-vjeçar për t’i grabitur varësen, por pasi kishin hasur në rezistencën e tij, e kishin goditur për vdekje. Për fshehjen e krimit, ata kishin hedhur trupin e adoleshentit në lumë. Në atë kohë, Gjykata e Apelit e Shkodrës vendosi ta dënonte me 5 vite burg për shkak se ai bashkëpunoi me drejtësinë duke treguar ngjarjen, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij, vëllezërit Besnik dhe Edmond Kodra, u dënuan respektivisht me burgim të përjetshëm dhe 25 vite burg.