Mediat turke kanë publikuar të gjitha lëvizjet që ka bërë Ahlam Albashir me origjinë siriane, e cila ka pranuar se ka kryer sulmin e së dielës me bombë në Stamboll.

Kamerat e sigurisë kanë kapur Albashir që mban një çantë shpine, ndërsa më pas shihet e ulur në një stol në rrugën Avenue Istiklal. Ajo aty lë çantën, e cila mbante një bombë. Brenda pak minutash, bomba shpërthen dhe më pas gjithçka përfshihet nga kaosi, me 6 të vrarë e dhjetëra të plagosur.

Albashir u arrestua nga policia turke të hënën, një ditë pas sulmit me bombë. Sipas policisë turke, ajo ka pranuar se është stërvitur nga militantët kurdë.

Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu, tha se bomba ishte nisur nga Kobani e kishte kaluar në Afrin, një tjetër qytet në veri të Sirisë. Ankaraja thotë se militantët e grupit YPG, të cilët kanë marrë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë luftës civile në Siri, janë krahu i armatosur i PKK, partisë kurde në Turqi, të shpallur si organizatë terroriste nga autoritetet turke, por edhe Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara.

Stambolli ka qenë shpesh shënjestër e militantëve kurdë, islamikë apo të ekstremit të majtë, më famëkeqi ai i dhjetorit të vitit 2016, kur 38 vetë vdiqën dhe 155 të tjerë u plagosën pas një shpërthimi në një stadium futbolli.