Belgjika dhe Ukraina kanë finalizuar një pakt që Rusisë nuk i ka pëlqyer aspak. Të shtunën, kryeministri belg, Alexander de Croo, dhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët në të cilën belgu konfirmon mbështetjen e tij për iniciativën ukrainase për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe për t’u anëtarësuar në NATO.

“Falënderoj Belgjikën për deklaratën e përbashkët të nënshkruar sot”, tha Zelensky.

“Ky dokument vërteton mbështetjen e Belgjikës për lëvizjen tonë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe NATO”, shtoi ai.

Dhe ndërsa kjo mbështetje vjen si një “mburojë” kundër pushtimit rus, Moska tashmë ka paralajmëruar se pranimi i Ukrainës në NATO mund të çojë në një konflikt më të madh. Kështu deklaroi zëvendëssekretari i Këshillit të Sigurimit rus, Aleksandër Venediktov, duke theksuar se shtetet anëtare të Aleancës do ta kuptojnë shpejt “natyrën vetëvrasëse të këtij hapi”.

Tetorin e kaluar, Venediktov vuri në dukje se hyrja e Ukrainës në NATO do të çonte “në Luftën e Tretë Botërore”, sipas nenit 5 të Organizatës së Atlantikut, i cili përcakton se një sulm kundër një ose më shumë vendeve që i përkasin NATO-s “do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve”. Mospranimi i Ukrainës në NATO ka qenë një nga prioritetet e Rusisë, edhe para fillimit të konfliktit në fillim të këtij viti. Arsyeja? Moska nuk dëshiron që Aleanca të pushtojë zonën e saj të ndikimit politik. Dhe aq më pak në një vend kaq afër kufirit të saj, gjë që do të ndodhë kur Finlanda të bëhet pjesë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Krahas miratimit që Ukraina të bëhet pjesë e NATO-s, kryeministri belg ka njoftuar se Belgjika tashmë ka filluar të japë më shumë ndihma humanitare dhe ushtarake përballë “muajve të ftohtë të dimrit që na presin”. Gjithashtu, ai ka ripërsëritur mbështetjen për vendin ukrainas edhe përmes rrjeteve të tij sociale, ku ka saktësuar se “pas bombardimeve intensive të ditëve të fundit, ne mbështesim popullin e Ukrainës, tani më shumë se kurrë”.