Heronjve të Kupës së Botës iu është dashur të ndërpresin paradën e tyre të fitores me autobusin e hapur pasi u pritën nga miliona argjentinas në Buenos Aires.

Festa dhe qetësia mes tifozëve që pritën për orë të tëra avionin me heronjtë e kombëtares së Argjentinës nuk zgjati shumë. Shumë tifozë tentuan të hipnin në autobusin ku qëndronin kampionët e Botës. Madje skena të rënda janë bërë virale në internet, ku teksa autobusi po kalonte nën një urë, disa tifozë u hodhën mbi të e një prej tyre u rrëzua në rrugë.

Policia ndërhyri menjëherë dhe futbollistët e Argjentinës u larguan në një helikopter, i cili fluturoi mbi turmën e njerëzve në rrugët e kryeqytetit.

Mediat ndërkombëtare shkruan se mbi 4 milionë persona pritën Argjentinën pas triumfit në Botërorin e Katarit, i cili ishte i treti sukses për shtetin amerikanojugor.